Përmbledhja e rolit
Inxhinieri kujdeset për matjen e saktë dhe regjistrimin e punëve të realizuara në kantier, harton e verifikon situacionet mujore të nënkontraktorëve dhe përllogarit preventivat që nevojiten gjatë zbatimit të projektit.
Roli garanton që pagesat dhe kostot të mbështeten në sasi faktike, të kontrolluara dhe në pajtim me kontratat.
Detyrat
1. Përgatitja dhe administrimi i librezave të masave
- Kryen matjet në terren së bashku me përgjegjësin e zbatimit dhe, kur është e nevojshme, me mbikëqyrësin e punimeve.
- Përpilon librezat e masave sipas zërave të preventivit kontraktual, duke përfshirë skicat, dimensionet dhe llogaritjet e hollësishme për secilin zë.
- Siguron që librezat të jenë të përditësuara, të numeruara dhe të nënshkruara nga palët përkatëse.
- Dokumenton veçmas masat që lidhen me punime shtesë, ndryshime dhe punime të paparashikuara.
- Krahason sasitë e projektit me ato reale dhe evidenton çdo diferencë.
2. Situacionet mujore të nënkontraktorëve
- Pranon dhe verifikon situacionet mujore të dorëzuara nga nënkontraktorët.
- Kontrollon sasitë e raportuara kundrejt librezave të masave dhe gjendjes reale në kantier.
- Sigurohet për zbatimin e çmimeve njësi në përputhje me kontratën e nënkontraktorit.
- Përllogarit vlerën e situacionit, duke përfshirë punimet mujore, vlerën progresive, mbajtjet e garancisë, zbritjet e paradhënieve, penalitetet dhe zbritjet për materiale ose shërbime të ofruara nga kompania.
- Harton situacionet finale dhe aktet e rakordimit me nënkontraktorët.
- Administron regjistrin e situacioneve të konfirmuara dhe të mbetjeve kontraktuale për secilin nënkontraktor.
3. Përllogaritja e preventivave
- Përgatit preventiva për punime shtesë, ndryshime në projekt dhe punime të paparashikuara.
- Harton analiza teknike çmimesh për zërat që mungojnë në kontratë, duke u bazuar në manualet zyrtare të çmimeve të ndërtimit dhe në çmimet aktuale të tregut.
- Llogarit, kur kërkohet, nevojat për materiale ose fuqi punëtore në fazat e ardhshme të punimeve.
- Realizon preventiva për kostot e brendshme, përfshirë punimet ndihmëse, kantierin, strukturat e përkohshme etj.
4. Monitorimi i kostove dhe raportimi
- Monitoron përdorimin e materialeve dhe e krahason atë me normat teknike ose specifikimet e projektit.
- Merr pjesë në përgatitjen e kërkesave për variante kontraktore dhe shtyrje të afateve.
Detyra të tjera
- Merr pjesë në takimet e kantierit dhe në ato me mbikëqyrësin.
- Analizon projektin, specifikimet teknike dhe kontratat për të kuptuar kushtet e matjes dhe pagesës.
- Mbështet organizimin e punimeve dhe kontrollin e cilësisë kur kërkohet.
- Kryen edhe angazhime të tjera profesionale të caktuara nga projekt menaxheri.
Kualifikimet
Kualifikimet e nevojshme
- Diplomë Master në Inxhinieri Ndërtimi ose në fusha të ngjashme: hidroteknikë, rrugë-ura, infrastrukturë.
- Së paku 3 vjet përvojë në kantier, veçanërisht në përgatitjen e librezave të masave, situacioneve dhe preventivave.
- Njohuri të mira të legjislacionit shqiptar të ndërtimit dhe të manualeve të çmimeve të ndërtimit.
Aftësitë e nevojshme
- Zotërim shumë i mirë i Excel-it, përfshirë formula të avancuara dhe tabela llogaritëse për sasi, situacione progresive e preventiva.
- Zotërim shumë i mirë i AutoCAD-it për leximin e projekteve, nxjerrjen e masave nga vizatimet dhe hartimin e skicave për librezat e masave.
- Njohja e programeve për preventiva dhe kontroll të kostove konsiderohet avantazh.
- Precizion i lartë në llogaritje dhe dokumentim.
- Aftësi për negociim dhe komunikim me nënkontraktorët dhe stafin teknik të kantierit.
- Aftësi për të punuar brenda afateve dhe nën presion.
- Patentë drejtimi, e cila konsiderohet avantazh.