• Punët
  • Rreth nesh
  • Për punëdhënësit
  • Punët
  • Rreth nesh
  • Për punëdhënësit
T'gjeta

Gjej punën e ëndrrave
Shpejt, lehtë, pa telashe.

Per pune kerkues

  • Gjej pune
  • Punë në Shqipëri
  • Punë në Kosovë

Per punedhenes

  • Shpalljet e punes
  • Profili i kompanise
  • Employer Branding
  • Na kontaktoni

Ligjore

  • Imprint
  • Politika e privatesise
  • Kushtet e perdorimit

© Copyright 2026 Talenta.

Apliko
Save the Children

Termat e Referencës (ToR) - Konsulent vendor për mbështetjen e zhvillimit të Udhëzuesit për Zbatimin e Standardeve për Orientim në Karrierë në shkollat e Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP)

Save the Children
Apliko
Edukim & TrajnimPrishtinë3 javë më parëFull Time

Konsulent vendor për mbështetjen e zhvillimit të Udhëzuesit për Zbatimin e Standardeve për Orientim në Karrierë në shkollat e Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP)

I. Informata mbi Save the Children

Save the Children është një ndër organizatat kryesore e pavarur në botë që punon për fëmijët. Save the Children beson se çdo fëmijë e meriton një të ardhme. Në mbarë botën, ne punojmë çdo ditë për t'u ofruar fëmijëve një fillim të shëndetshëm në jetë, mundësinë për të mësuar dhe për t'u mbrojtur nga dëmet. Kur ndodhin kriza dhe fëmijët janë më të cenueshmit, ne jemi gjithmonë ndër të parët që reagojmë dhe të fundit që largohemi. Ne sigurojmë që nevojat unike të fëmijëve të plotësohen dhe zëri i tyre të dëgjohet. Ne ofrojmë rezultate të qëndrueshme për miliona fëmijë, përfshirë edhe ata që janë më të vështirë për t'u arritur.

Ne bëjmë gjithçka që nevojitet për fëmijët – çdo ditë dhe në kohëra krizash – duke transformuar jetën e tyre dhe të ardhmen e përbashkët.

Vizioni ynë: Një botë në të cilën çdo fëmijë gëzon të drejtën për mbijetesë, mbrojtje, zhvillim dhe pjesëmarrje.

Misioni ynë: Arritja e progresit në mënyrën se si bota i trajton fëmijët dhe për të arritur ndryshime të menjëhershme dhe të qëndrueshme në jetën e tyre.

Vlerat tona: Llogaridhënia, ambicia, bashkëpunimi, kreativiteti dhe integriteti.

Ne jemi të përkushtuar që burimet tona të përdoren në mënyrë sa më efikase, në mënyrë që t'i fokusojmë ato në arritjen e ndikimit maksimal për fëmijët.

II. Informata të përgjithshme rreth projektit

Përmes projektit “Fuqizimi i komuniteteve të cenueshme të Kosovës përmes qasjes më të mirë dhe të barabartë në tregun e punës” financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) me fondet e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim, Save the Children Kosova/o (SCiK) dhe partnerët e saj të projektit synojnë të mbështesin vajzat dhe djemtë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian me njohuri, kapacitete, aftësi dhe mundësi për tranzicion në moshën madhore, si dhe me punë dinjitoze, të denjë dhe të qëndrueshme. Në shtatë komuna të Kosovës, projekti përdor një strategji me shumë nivele që përfshin ndërhyrje në nivelin e fëmijës dhe familjes, shkollës, komunës, tregut të punës dhe në nivel kombëtar. Objektivat kryesore përfshijnë përmirësimin e qasjes dhe mbajtjen në arsimin e mesëm cilësor, ofrimin e trajnimeve profesionale dhe të aftësive për jetë dhe promovimin e mundësive të barabarta për punë dinjitoze dhe të qëndrueshme.

III. Qëllimi dhe Objektivat

Qëllimi i kësaj konsulence është të ofrojë mbështetje teknike për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe shkollat e Arsimit dhe Aftësimit Profesional (shkollat e AAP-së) në zhvillimin e Udhëzuesit për Zbatimin e Standardeve për Orientim në Karrierë në Shkollat Profesionale.

Udhëzuesi do të përmbajë udhëzime të qarta për zbatimin e Standardeve për Orientim në Karrierë, duke përfshirë integrimin e Manualeve për Orientim në Karrierë, bashkëpunimin me bizneset dhe prindërit, si dhe elemente të tjera relevante që do të mbështesin këshilltarët e karrierës në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për nxënësit.

Kjo iniciativë vjen si përgjigje ndaj kërkesës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të fuqizuar dhe standardizuar kornizën e zbatimit të orientimit në karrierë në arsimin e mesëm të lartë.

Objektivat specifike të kësaj konsulence janë:

  • Të zhvillohet një Udhëzues praktik, gjithëpërfshirës dhe i lehtë për përdorim për zbatimin e Standardeve për Orientim në Karrierë në Shkollat e Mesme të Larta Profesionale.
  • Të sigurohet që Udhëzuesi të shërbejë si dokument orientues dhe mbështetës për këshilltaret e karrierës në Arsimin dhe Aftësimin Profesional (AAP), në planifikimin, organizimin dhe ofrimin e shërbimeve të orientimit në karrierë.
  • Të sigurohet përdorimi praktik i manualeve për orientim në karrierë të zhvilluara nga SCiK, si dhe i burimeve të tjera relevante që përdoren në shkolla, përmes udhëzimeve të integruara në Udhëzues.
  • Të sigurohet që Udhëzuesi të jetë relevant, praktik dhe në përputhje me nevojat e këshilltareve të karrierës në Arsimin dhe Aftësimin Profesional (AAP).
  • Të lehtësohet një proces konsultativ përmes katër (4) punëtorive për shqyrtimin, finalizimin dhe validimin e Udhëzuesit me palët e interesit.
  • Të mbështetet disponueshmëria e materialeve të zhvilluara në format online për qasje dhe përdorim më të gjerë.

IV. Fushat Kryesore dhe Përgjegjësitë

Ofruesi i shërbimit do të jetë përgjegjës për:

  • Zhvillimin e Udhëzuesit për Zbatimin e Standardeve për Orientim në Karrierë në Shkollat e Mesme të Larta, duke siguruar që ai të jetë i qartë, praktik dhe i përshtatshëm për këshilltaret e karrierës në Arsimin dhe Aftësimin Profesional.
  • Hartimin e një udhëzuesi praktik që mbështet këshilltaret e karrierës në organizimin dhe ofrimin e shërbimeve të orientimit në karrierë, në përputhje me standardet dhe nevojat e nxënësve në shkollat profesionale.
  • Ofrimin e ekspertizës teknike dhe mbështetjes metodologjike gjatë gjithë procesit të hartimit dhe validimit, me qëllim të sigurimit të cilësisë, koherencës dhe zbatueshmërisë së materialeve.
  • Organizimin dhe lehtësimin e katër punëtorive me grupin punues dhe palët e interesit për shqyrtimin, diskutimin, validimin dhe finalizimin e Udhëzuesit.
  • Integrimin dhe referimin e qartë të manualeve të zhvilluara nga SCiK, si dhe të burimeve dhe materialeve të tjera relevante që përdoren në shkolla, për të mbështetur zbatimin efektiv të orientimit në karrierë.
  • Përfshirjen e komenteve dhe rekomandimeve të dala nga punëtoritë dhe konsultimet në versionin final të konsoliduar të Udhëzuesit.
  • Sigurimin që Udhëzuesi të jetë i lehtë për përdorim, i strukturuar mirë dhe i përshtatshëm për shpërndarje dhe publikim online.
  • Sigurimin që Udhëzuesi të përmbajë shembuj praktikë, rekomandime metodologjike dhe orientime konkrete për zbatimin e aktiviteteve të orientimit në karrierë në nivel shkolle.
  • Dorëzimin e versionit final të Udhëzuesit në formatin e dakorduar dhe brenda afatit të përcaktuar.
  • Mbajtjen e koordinimit të rregullt me Save the Children dhe ofrimin e përditësimeve mbi progresin, sfidat dhe hapat e ardhshëm.

V. Afati Kohor dhe Produktet e Pritura

Për të arritur rezultatet e pritshme të paraqitura në tabelën më poshtë, konsulenti/ja i/e përzgjedhur do të angazhohet deri në 18 ditë pune, gjatë periudhës 4 qershor 2026 – 31 gusht 2026.

VI. Përvoja dhe Aftësitë e Kërkuara

Ofruesi i shërbimit duhet të ketë këto kualifikime dhe atribute:

  • Diplomë universitare në arsim, shkenca sociale apo fusha të ngjashme; kualifikimet e avancuara akademike përbëjnë përparësi.
  • Njohuri të avancuara mbi sistemin arsimor në Kosovë, me fokus në Arsimin dhe Aftësimin Profesional (AAP) dhe shërbimet e orientimit në karrierë.
  • Përvojë e dëshmuar profesionale në fushën e orientimit në karrierë, arsimit, këshillimit për karrierë apo zhvillimit profesional, në nivel kombëtar dhe/ose ndërkombëtar.
  • Përvojë në hartimin dhe zhvillimin e udhëzuesve, manualeve, materialeve praktike apo përmbajtjeve profesionale për përdorim nga profesionistët e arsimit dhe orientimit në karrierë.
  • Përvojë në transformimin e standardeve, politikave apo udhëzimeve në mjete praktike dhe të zbatueshme për përdorim në terren.
  • Aftësi për të analizuar, integruar dhe strukturuar materiale ekzistuese në dokumente koherente, funksionale dhe lehtësisht të përdorshme.
  • Përvojë bashkëpunimi me institucione publike relevante, përfshirë MASH-in, shkollat profesionale, agjencitë e punësimit, projektet zhvillimore dhe partnerët institucionalë.
  • Përvojë në facilitimin dhe moderimin e konsultimeve, punëtorive dhe proceseve pjesëmarrëse me palë të ndryshme të interesit.
  • Njohuri mbi qasjet dhe metodologjitë bashkëkohore të orientimit në karrierë për të rinjtë, veçanërisht në arsimin e mesëm të lartë dhe AAP.
  • Aftësi të avancuara analitike, hulumtuese, komunikuese dhe të shkrimit profesional, me kapacitet për të prodhuar dokumente të qarta, të strukturuara dhe praktike.
  • Njohuri të shkëlqyera të gjuhës shqipe dhe njohuri të mira të gjuhës angleze.

VII. Informata rreth pagesës

SCiK do ta kompensojë Konsulentin e me një tarifë bruto ditore (nga e cila do të ndalen dhe paguhen tatimi mbi të ardhurat dhe kontributi pensional, bazuar në Ligjin e Kosovës) ose në një shumë pa TVSH në rastin e kompanisë. SCiK do të bëjë pagesën nëpërmjet transfertës bankare në llogarinë bankare të konsulenti pas përfundimit dhe miratimit të caktimit dhe dorëzimit të evidences së punës/faturës.

  1. Kësti fillestar: Pas përfundimit dhe dorëzimit të rezultateve fillestare dhe faturës nga konsulenti/kompania.
  2. Kësti përfundimtar: Pas dorëzimit të të gjitha rezultateve përfundimtare dhe faturës nga konsulenti/kompania.

Pagesa do të bëhet vetëm pas pranimit të një faturë të vlefshme të shoqëruar me evidencën e punës për periudhën përkatëse. Tarifat përfshijnë të gjitha kostot, shpenzimet e përgjithshme dhe shpenzimet tjera, duke përfshirë udhëtimin dhe akomodimin.

VIII. Politika e mbrojtjes së fëmijëve

Si kusht për lidhjen e një marrëveshjeje konsulence, konsulenti/kompania hulumtuese duhet të nënshkruajë Politikën për Mbrojtje të Fëmijëve të Save the Children International, të respektojë termat dhe kushtet e saj dhe të pajtohet me Kodin e Sjelljes të Agjencisë Austriake për Zhvillim.

Dokumentet e kërkuara

  • Curriculum Vitae (CV);
  • Një (1) shembull të punës së mëparshme me kompleksitet të ngjashëm të realizuar nga aplikuesi;
  • Propozim teknik që përshkruan përvojat përkatëse të konsulentit dhe metodologjinë e propozuar për realizimin dhe përfundimin e detyrës;
  • Propozim financiar per dite pune, duke perfshire oferten ne shumen bruto para zbritjeve ligjore sipas legjislacionit në Kosovë (për persona fizik), ose propozimi financiar për dite pune në shumë pa TVSH (për kompani).
  • Certifikata e biznesit (për kompani).

IV. Fushat Kryesore dhe Përgjegjësitë

| Nr. i rezultatit | Titulli i rezultatit | Përshkrimi | Ditë pune | Data e rezultatit |
|---|---|---|---|---|
| 1 | Punëtoria e parë – Shqyrtimi fillestar dhe orientimi | Organizimi dhe facilitrimi i punëtorisë së parë me grupin punues dhe palët relevante të interesit për të shqyrtuar standardet, manualet dhe materialet ekzistuese, për të qartësuar pritshmëritë dhe për t’u dakorduar mbi qasjen dhe strukturën e Udhëzuesit praktik. | 2 | 9 qershor 2026 |
| 2 | Hartimi i versionit të parë të Udhëzuesit | Hartimi i versionit të parë të Udhëzuesit bazuar në rekomandimet e grupit punues dhe në përputhje me Standardet për Orientim në Karrierë për arsimin e mesëm të lartë. | 2 | 17 qershor 2026 |
| 3 | Integrimi i manualeve dhe materialeve relevante në Udhëzues | Shqyrtimi i manualeve dhe materialeve ekzistuese të zhvilluara nga SCiK dhe burimeve të tjera relevante, si dhe integrimi i udhëzimeve praktike për përdorimin e tyre në Udhëzues. | 2 | 23 qershor 2026 |
| 4 | Punëtoria e dytë – Shqyrtimi i draftit të parë | Organizimi dhe facilitrimi i punëtorisë së dytë me grupin punues dhe palët relevante të interesit për të shqyrtuar dhe diskutuar draftin e parë të Udhëzuesit dhe për të mbledhur komente dhe rekomandime. | 2 | 30 qershor 2026 |
| 5 | Integrimi i komenteve dhe rekomandimeve | Përfshirja e komenteve dhe rekomandimeve të pranuara gjatë punëtorive dhe konsultimeve në versionin e rishikuar të Udhëzuesit. | 2 | 3 korrik 2026 |
| 6 | Punëtoria e tretë – Validimi i Udhëzuesit të rishikuar | Organizimi dhe facilitrimi i punëtorisë së tretë me grupin punues dhe palët relevante të interesit për të validuar versionin e rishikuar të Udhëzuesit dhe për t’u dakorduar mbi përshatjet përfundimtare. | 2 | 16 korrik 2026 |
| 7 | Finalizimi i Udhëzuesit praktik | Sigurimi që Udhëzuesi i zhvilluar të jetë i strukturuar mirë, praktik, i lehtë për përdorim dhe i përshtatshëm për shpërndarje dhe publikim online. | 2 | 24 korrik 2026 |
| 8 | Punëtoria e katërt – Validimi dhe miratimi final | Organizimi dhe facilitrimi i punëtorisë së katërt me grupin punues dhe palët relevante të interesit për të prezantuar versionin final të Udhëzuesit, për të konfirmuar adresimin e komenteve dhe për të finalizuar dokumentin për dorëzim dhe shpërndarje. | 1 | 29 korrik 2026 |
| 9 | Dorëzimi i dokumenteve finale | Dorëzimi i versionit final të Udhëzuesit në formatet e dakordura dhe brenda afatit të përcaktuar. | 1 | 3 gusht 2026 |
| 10 | Ditë rezervë | Ditë rezervë për të adresuar çdo rishikim të mëtejshëm, konsultim shtesë, përshtatje teknike apo nevojë të paparashikuar që mund të lindë gjatë realizimit të angazhimit. Këto ditë do të përdoren vetëm pas dakordimit me MASH-in dhe Save the Children. | Deri 2 ditë | Sipas nevojës, brenda afatit kohor të kësaj marrëveshjeje. |

Numri total i ditëve 18